Sezoni do të fillojë shpejt dhe lojtarët nuk do të kenë shumë kohë të pushojnë, pasi ka fazë përgatitore. Edicioni i ri i Bundesligës fillon në 13 gusht, thuajse fiks një muaj pas finales së Kampionatit Europian, dhe tek Bajerni kanë shqetësim sepse kombëtarja gjermane ka mjaft lojtarë bavarezë, të cilët do të kishin pak kohë për të mbledhur veten. Për më tepër, Bajerni do të luajë ndeshjen e parë në 13 gusht në fushën e Mynshengladbahut, pra jo në Mynih. Mediat gjermane theksojnë se ka një prishje tradite lidhur me atë që quhet Derbi i Gjermanisë, mes Borusias së Dortmundit dhe pikërisht Bajernit. Kjo ndeshje do të luhet në 3 ose 5 dhjetor në javën e 14-të, ndërsa vitet e fundit ka qenë në fillim të nëntorit. Ndeshja e kthimit do të jetë në 22 ose 24 prill e nëse dy ekipet do të jenë në konkurrim për titullin, do të ishte si një finale e vërtetë.
Sfidanti.al