U desh të kalonin 28 vjet. Pas më shumë se çerekshekulli Anglia mbërriti më në fund në gjysmëfinale të Kupës së Botës, po sa ka ndryshuar atdheu i futbollit që nga ajo kohë? Kur Pol Gaskoin, Kris Uadëll apo Piter Shilton arritën në katër më të mirët në Botërorin e vitit 1990 në Itali, çmimet dhe rrogat ishin ndryshe nga sot, ndërsa politika ka një ngjashmëri.
Kryeministre atëherë ishte ende e mbiquajtura “Zonja e Hekurt”, Margaret Theçer. Sot është Tereza Mej, si për koincidencë të vetmet kryeministre femra në historinë e Mbretërisë së Bashkuar.
Tifozët duhej të paguanin 1.23 paund stërlina për një birrë, duhej të shpenzonin 23 paund stërlina për të mbushur plot serbatorin e makinës. Për të blerë një shtëpi duhej rroga e mbi 3 viteve punë.
Po sot? Anglezët e sotëm, që ndjekin me kënaqësi ekipin e tyre kombëtar, janë diku më mirë e diku më keq. Për të blerë birrën apo bukën duhet më pak kohë pune. Gjithsesi, për të mbushur plot makinën duhen gati trefishi i atëhershëm, 64 paund stërlina. Po ashtu, për të blerë shtëpi duhet rroga e 4-5 viteve punë.
Londra ka qenë dhe mbetet një metropol i madh, ndër më të shkëlqyerit në botë, ndonëse ka pasur dhe vazhdon të ketë lagje të lëna pas dore, ku kriminaliteti është rritur kohët e fundit.
Sfidanti.al