Angli, je favorite, por Kosova është “Zhan d’Arku” e Europës

Në radhë ishin Danimarka, Bullgaria, Mali i Zi dhe Çekia. Përballë tyre, ekipi përfaqësues më i ri i Europës, krijuar zyrtarisht vetëm në 2016. Kjo është Kosova, me 15 ndeshje pa humbje, që do të vihet përballë Anglisë sonte, për fat të keq, jo në “Uemblin” e famshëm, por në “Shën Mërinë” e Sauthemptonit. Mediat britanike nuk kanë ngurruar t’i bëjnë thirrje kombëtares së tyre që të ketë kujdes, pasi nuk do ta ketë të lehtë. Për momentin, seria e pathyeshmërisë së shqiptarëve të Kosovës është më e gjata në Europë.

Tjetër fat i keq është se skuadra e trajnerit Bernard Shaland nuk do të ketë disa nga lojtarët e saj më të mirë, siç nuk i pati as ndaj Çekisë. Rashica, Zeneli, Kololli dhe Kryeziu nuk janë në apel, por “dardanët” kanë treguar se kanë “thellësi”, pra stol të rëndësishëm. Muriqi e Celina janë yjet e rinj të sulmit. “Deili Meil” thotë se më shumë se 180 lojtarë me origjinë kosovare po luajnë apo janë në prag të luajtjes në ligat perëndimore të Europës. Kosova ndoshta humbet sot në “Sent Meri”, por besohet se ajo sërish do ta respektojë vetveten.

Sfidanti.al