Pak javë përpara turneut, ai kaloi një ditë të rëndë në pallatin e sportit të Shkodrës, dhe pas ndeshjes së tij për titullin kombëtar shpërtheu një sherr që turpëroi sportin shqiptar. Për t’ia bërë imazhin të shkëlqyer boksit kuqezi mendoi pikërisht ai, i dëmtuari i Shkodrës, Alban Beqiri, edhe pse pa trajnerin e tij, Sead Bushati.
Nën drejtimin e trajnerit tjetër tek Tirana, Renato Kurti, boksieri 27-vjeçar i peshës deri 71 kg marshoi triumfalisht deri në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror në Beograd të Serbisë, kur askush nuk e priste. Arriti katër fitore, njërën më të bukur se tjetrën, siguroi medaljen e bronzit, dhe sfidoi rrezikun duke u paraqitur i dëmtuar në ndeshjen për finale ndaj rusit Vadim Musajev, të cilën e humbi vetëm me pikë pas një paraqitjeje dinjitoze. Rezultati ishte 30-27 për rusin që siguroi 50 000 USD shpërblim të paktën për medaljen e argjendit. Albani mori 20 000 USD dhe respektin e të gjithëve duke u bërë i pari boksier shqiptar që fiton medalje në Botëror!
Sfidanti.al