Portieri spanjoll, Pepe Reina, është një nga tre lojtarët aktualë dhe të mëparshëm të Napolit, për të cilët ka dyshime se kanë pasur lidhje me organizatën mafioze, Kamora. Media italiane bën të ditur se Reina është thirrur që të japë shpjegime në Federatën e Futbollit të Italisë së bashku me Paolo Kanavaron dhe Salvatore Aronikën, sepse dyshohet se ata kanë pasur kontakte e lidhje me vëllezërit e njohur mafiozë, Gabriel, Françesko dhe Xhuzepe Esposto.
Reina, në fund të sezonit, do të largohet nga Napoli për t’u bashkuar me Milanin, ndërkohë që media italiane shkruan se lidhja e tij me Mafian napolitane është një nga arsyet që Napoli vendosi ta largoi ish-portierin e Liverpulit. Krahas lojtarëve të lartpërmendur, për lidhje me Mafian janë akuzuar edhe vetë klubet, Napoli, Sasuolo dhe Palermo.
Kanavaro ka luajtur me Napolin gjatë dy periudhave, ndërkohë që vitin e kaluar ai e mbylli karrierën te Sasuolo. Aronika, po ashtu, ka luajtur disa vite me Napolin, para të shkonte te Palermo, më 2013.