Këshilltari i Red Bullit, Helmut Marko, thotë se Maks Verstapen u bë kampion i botës nga makina e sigurisë që hyri në skenë në kohën ideale për të, si dhe nga gabimet e vetë Mercedesit. Ai e pati fjalën tek vendimi i skuadrës gjermane për të mos i vendosur Ljuis Hamiltonit gomat e buta, siç bëri Red Bulli me Verstapenin, por edhe tek fakti se skuadra austriake pati lojë më të mirë ekipore. Valteri Botas nuk ishte askund për të ndihmuar Hamiltonin, në ditën që ai kishte më shumë nevojë, ndërsa duhet pranuar se Mercedesi nuk e trajtoi siç duhet finlandezin, përkundër dëshirave të Hamiltonit. Nga ana tjetër, Verstapen duhet të falenderojë shumë shokun e ekipit, Sergio Perez që mbajti pas vetes për një kohë të gjatë anglezin gjatë garës së djeshme. “Çeko është fenomenal”, thirri në radio Verstapeni pasi u shpall kampion.
Gjithsesi, në media po shkruhet dhe po aludohet se vetë organizatorët e krijuan skenën e parakalimit të xhiros së fundit për të kënaqur pritshmëritë e tregut. Publiku priste një dramë maksimale, dhe Formula 1 ia siguroi. Ky lloj prodhimi padyshim që është shitur shumë, shikueshmëria televizive ka qenë në maja, pra a mundet që kjo dëshirë për fitime dhe protagonizëm të ketë luajtur një rol? Edhe mundet, ndonëse kjo nuk mund të shpjegojë gabimin e Mercedesit, ndërsa duhet nënkuptuar se është kurdisur edhe përplasja e fundit për të futur në pistë makinën e sigurisë.
Sfidanti.al