Champions: Duele Mesi-Ronaldo dhe Atletiko-Bajern!

Pritej që të kishte “bomba” dhe nuk doli pa gjë. Dy legjendat e epokës sonë, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo, do të jenë përballë në raundin e dytë të Championsit. Kjo, sepse shorti i hedhur sot në Nion të Zvicrës çiftoi Paris SG dhe Mançester Junajtidin. Mesi luan këtë sezon për francezët dhe ka qenë i shkëlqyer në Ligën e Kampionëve, ndërsa Kristiano ka kaluar në “Old Traford” duke realizuar gjithashtu gola vendimtarë në Europë. Superyjet janë përballur për një kohë të gjatë në La Liga të Spanjës, në rivalitetin më të madh në botës, El Klasikon mes Barcelonës dhe Realit të Madridit, por ajo kohë mori fund tre vjet më parë, ndërsa në Champions kanë qenë rivalë në duelet Barcelona-Juventus.

“Bomba” tjetër e shorti ishte sfida Atletiko Madrid-Bajern. Ekipi gjerman ka ka 4 fitore, 2 barazime 2 humbje ndaj spanjollëve, duke qenë në epërsi edhe me kualifikime dhe me golaverazh. Për të mos shkuar aq larg sa finalja e 1974-ës fituar nga bavarezët, kujtojmë duelet më të vonshme, ku Atletiko e ka eleminuar një herë ekipin gjerman në 2016, ndërsa u shkatërrua 0-4 në ndeshjen e fazës së grupeve sezonin e kaluar.

Shorti mund të konsiderohet i fortë edhe për Interin pasi është vendosur kundër Ajaksit të Amsterdamit, që i fitoi të gjitha ndeshjet në grup. Më e lehtë për gjigandët e tjerë. Reali i Madridit do të ndeshet me Benfikën, diçka që mediat spanjolle e cilësuan “karamele”, ndonëse portugezët eleminuan Barcelonën. Juventusi luan ndaj Sportingut të Lisbonës, ekipit tjetër nga Portugalia, ndërsa nuk harron se sezonin e kaluar u eleminua pikërisht nga luzitanët e Portos.

Liverpuli pati një short të pranueshëm ndaj austriakëve të Salcburgut, ndërsa është kandidat për trofe pasi dominoi Atletikon, Milanin e Porton. Ndërkaq, kampionët e Europës, futbollistët e Çelsit sfidojnë Lilën e Francës, dhe finalisti tjetër, Mançester Siti bën duel me Vijarrealin.

Shorti i turit të dytë

Benfika-Real Madrid

Vijarreal-Mançester Siti

Atletiko Madrid-Bajern Mynih

Salcburg-Liverpul

Inter-Ajaks

Sporting Lisbonë-Juventus

Çelsi-Lilë

Paris SG-Mançester Junajtid

Ndeshjet në 15, 16, 22 e 23 shkurt, dhe në 8, 9, 15 e 16 mars

Sfidanti.al