Verstapen: Ëndërruam të jemi kampionë! Ia dolëm!

U desh të pritej 4 orë pas përfundimit të garës për t’u konfirmuar zyrtarisht. Edhe pse Mercedesi do të bëjë një tjetër apelim, pasi iu hodhën dy të tillë poshtë nga komisionet e FIA-s, sërish Maks Verstapen mund të quhet me të drejta të plota kampion i botës në Formula 1. Mediat britanike akuzuan për “mashtrim” dhe “spektakël me realitetin” (reality show), por piloti holandez i Red Bullit as nuk ka ndërmend të mendojë për këto gjëra. Siç shkruan e përditshmja spanjolle, “Marka”, ai tejkaloi demonët brenda mendjes së tij për të arritur ditën më të lumtur të karrierës. “Ne ëndërruam që të jemi kampionë të botës, tani ne jemi, – tha ai, – kjo është e pabesueshme. Nisa të garoja bashkë me babain tim shumë vjet më parë, dhe tani ia dolëm. Falenderoj skuadrën, Çeko Perez, ti ishte një “kafshë” e vërtetë. Dedikim familjes dhe mbështetjes së saj për shumë vjet. Nuk mund t’ia kisha dalë pa ju”.

Sfidanti.al