Zhoel Embijd fiton duelin me Lebronin dhe me Entoni Dejvisin!

Natyrisht është një basketbollist i madh dhe synon të jetë numri 1. Ka pasur edhe dëmtime, kanë ekzistuar për të edhe dyshime, por gjithnjë e më shumë tifozët po binden se Zhoel Embijd është një fenomen i sotëm i NBA-së. Ylli i Filadelfias e tregoi veten ndaj Lejkërsave duke mbrojtur parketin e Arenës vendase në fitoren 133-122. Embijd shënoi plot 38 pikë, kapi 12 topa në tabela e shërbeu 5 asistë, ndërsa pati 1 vjedhje topi. Gjiganti prej 2.l3 metrash e humbi topin 7 herë, por gjithsesi ishte mjaft mirë në gjuajtje dhe kjo bëri diferencën. Ai fitoi duelin me Lebron Xhejmsin, madje sidomos me qendrën e Lejkërsave, Entoni Dejvisin. Lebroni shënoi 23 pikë, me pak topa në tabela (4) dhe 6 asistë, ndërsa Dejvisi shtoi 31 pikë e 12 topa në tabela. Xhejms Harden po ashtu luajti shumë mirë për vendasit me 28 pikë dhe 12 asistë. Filadelfia është e 6-ta në Lindje, ndërsa Lejkërsat të 13-ët në Perëndim me 10 fitore e 15 humbje.

Sfidanti.al