Vladimir Kliçko mbas duelit me Xhoshuan: Fitoi më i miri

Boksieri ukrainas, Vladimir Kliçko, deklaroi mbas humbjes ndaj britanikut Entoni Xhoshua se ndeshja e mbrëmshme doli krejt e veçantë. Ai tha se u ndje i kënaqur nga ky duel, pavarësisht nga humbja. Të dy boksierët, gjatë ndeshjes, ranë nokdaun, ndërkohë që Xhoshua e fitoi ndeshjen me nokaut teknik në raundin e 11-të. “Kjo ndeshje ishte e veçantë për të dy neve, por, sidoqoftë, fitoi më i miri. Entoni ishte më i mirë sesa unë sot dhe mua më vjen, me të vërtetë, keq se nuk arrita që të fitoj. I shpreh respektin tim Entonit, unë ndjeva kënaqësi nga kjo ndeshje”, tha, mbrëmë, mbas ndeshjes Kliçko në “Skaj Sport”, duke shtuar se ai kishte një plan për arritjen e fitores, por se ai nuk funksionoi”.

“Unë e kuptova se isha në gjendje që ta nxirrja atë nokaut, por po prisja momentin e duhur. Unë nuk dola në ring që të fitoja me pikë, por që ta nokautoja kundërshtatin”, tha Kliçko. Xhoshua, nga ana tjetër, mbas ndeshjes, i tha, midis të tjerave, Bi-Bi-Si-së se, “gjatë stërvitjeve, ai me stafin e tij e kishin përpunuar disa herë situatën që u krijua në raundin e 11-të. Unë po ndjeja lodhje, por e kuptoja se duhet të duroja, se ndeshja po shkonte drejt zhvillimit të saj të plotë (12 raunde)”, tha Xhoshua, duke theksuar se “unë provova se ndeshja fitohet edhe në stërvitje, kur parashikon se çfarë mund të ndodhë në ndeshjen e vërtetë”.

Sfidanti.al