U kthyen me këmbë në tokë, madje jo nga Golden Stejti, Oklahoma apo San Antonio. Ishte Atlanta që i shkaktoi humbjen e parë të sezonit Klivlend Kavaliersit, duke e mundur brenda në shtëpi.
Përballë tifozëve të tij, Lebron Xhejms mund të jetë mërzitur nga rezultatet e zgjedhjeve amerikane (mbështeti Klintonin), aq sa shënoi vetëm 2 pikë në pjesën e parë. Hoks fitoi 110-106, me 28 pikë të Denis Shroderit, ndërsa Xhejms u përgjigji me 23 gjithsej.
“Ishte një ndeshje e vështirë, jo e zakonshme, – tha Lebron pas saj, – ishte e rrezikshme”.
Atlanta udhëhoqi me 18 pikë epërsi në periodën e tretë, edhe pse në fund ndeshja ishte thuajse në barazim. Kent Bejzmor shënoi 25 pikë për miqtë, dhe ishte ai që realizoi koshin vendimtar 7 sekonda para përfundimit. “Klivlendi ka dominuar Konferencën Lindore për një kohë të gjatë, – tha Bejzmor, – ky është standardi që duhet të kemi dhe ne e kaluam provën e parë”. Vërtet një reagim i bukur, pas 11 humbjeve radhazi të Atlantës ndaj Kavaliersit.
B. Kuka