Rrallë ka ndodhur që një lojtar të qendrojë në parket për 48 minuta nga 48 gjithsej, dhe të sigurojë në fund fitoren e skuadrës së tij. Flasim për basketbollin, aq më tepër për NBA-në, ku ritmi është i jashtëzakonshëm dhe shpenzimi i energjive i hatashëm. Kësaj i shtojmë faktin se ky lojtar, Kevin Duranti, është 32 vjeç, pra jo në “lule të moshës”. Gjithsesi, numri 7 ia doli dhe dëshiron të fitojë titullin e tretë personal në NBA, për të qenë vetëm 1 titull prapa Lebron Xhejmsit. Rruga është e gjatë pasi jemi gjysmëfinale të Konferencës, por kur shënon 49 pikë, kap 17 topa në tabela dhe shërben 10 asistë, atëherë je me të vërtetë i jashtëzakonshëm. Kjo është hera e parë që një basketbollist në NBA ka arritur të paktën 45 pikë, 15 topa në tabela e 10 asistë në një ndeshje të plej ofit.
Bruklini u ndodh në humbje -17 pikë në fund të pjesës së parë, por reagoi dhe në fund fitoi 114-108. Vendasve u mungoi Kajri Irvingu, ndërsa Xhejms Hardeni luajti i dëmtuar, duke shënuar vetëm 5 pikë, duke humbur shumicën e gjuajtjeve (1-10), por duke kapur 6 topa në tabela e shërbyer 6 asistë. Ai luftoi mirë në mbrojtje. Janis Antetokumbo luajti një ndeshje të mirë për Miluokin, pasi shënoi 34 pikë, kapi 12 topa në tabela e shërbeu 4 asistë, duke mos qenë keq për tri pikë (2-4), e duke shtuar një vjedhje topi e dy bllokime gjuajtjesh. Gjithsesi, në fund askush tek Miluoki nuk gjeti dot një “përgjigje” për Durantin, ndërsa Bruklini kryeson serinë 3-2.
Sfidanti.al