Sërish e kuptuam sesa i rrezikshëm është ky sport. Sikur të mos mjaftonte ajo që ndodhi me Kristian Eriksenin, ja ku erdhi paralajmërimi në Francë-Gjermani, kur mbrojtësi vendas Ginter goditi me gju pas koke mbrojtësin francez, Benzhame Pavar. Kjo, në minutat e para të pjesës së dytë në “Alianc Arena” të Mynihut, ndërsa francezi mbeti i shtrirë gjatë, dhe u kërkua urgjent ndihma e mjekëve. Për fat, ai nuk pati pasoja, ndonëse goditja ishte shumë e rrezikshme.
“Unë isha i pandërgjegjshëm për 10-15 sekonda, – pohoi Pavar, – më pas, isha mirë. Ndihem mirë, dhe jam i lumtur për fitoren”. Gjithsesi, kritikat ishin të forta për stafin mjekësor francez që lejoi që mbrojtësi i Bajernit të vazhdonte lojën. Në rrjetet sociale, tifozët, por edhe specialistë të ndryshëm nuk u kursyen duke akuzuar se futbolli nuk po i mbron si duhet lojtarët, duke mbetur prapa sporteve të tjerë. Kjo sidomos pas asaj që i ndodhi Kristian Eriksenit në ndeshjen Danimarkë-Finlandë, kur lojtari danez u rrëzua përtokë pas një ataku kardiak. Eriksen u dërgua në spital, por ndeshja vazhdoi, dhe trajneri i Danimarkës, Kasper Hjulmand, kritikoi UEFA-n duke thënë në konferencën për shtyp se “për shkak të Kovidit, një ndeshje mund të shtyhet 48 orë, por kuptohet se kjo nuk mund të lejohet kur ndodh një atak kardiak”.
Sfidanti.al