Vetëm Adetokumbo nuk mjafton, Miluoki po vuan dëmtimin e yjeve

Në komplet mund të jetë sërish skuadra më e fortë e NBA-së, por për momentin nuk është e tillë. Miluoki Baksat janë “plaguar” nga dëmtimet dhe ylli kryesor, Janis Adetokumbo nuk po mundet ta nxjerrë ekipin nga “balta”. Humbja në shtëpi ndaj Juta Xhazit ishte shenja e radhës e dobësisë së kampionëve në fuqi, për të cilët nuk po luajnë Kris Midëlton, Xhru Holidei, Bruk Lopez dhe DiVincenzo. Janë të paktën 3 titullarë që fituan titullin sezonin e kaluar. Adetokumbo shënoi 25 pikë, pati 7 topa në tabela, 6 asistë, 2 vjedhje topi, 2 bllokime gjuajtjesh ndaj Jutës, por ndeshja u humb 95-107. Donovan Miçëll ishte më i miri për miqtë me 28 pikë, ndërsa Konlei shtoi 20 e Bogdanoviç 14, me Rudi Goberin që pati vetëm 9 pikë, por edhe 13 topa në tabela. Miluoki ka 3 fitore e 4 humbje, duke qenë në vend të 10-të në 15 ekipe gjithsej në Konferencën e Lindjes, ndërsa Juta Xhaz është ekipi më i mirë i NBA-së bashkë me Golden Stejtin, Nju Jorkun e Çikagon me nga 5 fitore e vetëm 1 humbje.

Sfidanti.al