Verstapen: E papranueshme të ndodhin këto me një kampion bote

Si mund të ndihet piloti më i mirë i Formula 1, për momentin? Me dy tërheqje nga garat për defekte të rënda në makinë, padyshim që Maks Verstapeni nuk është aspak i lumtur, përkundrazi. Në Melburn, braktisi konkurrimin ndërsa ishte në vendin e dytë, dhe ndoqi (ndoshta) nga televizori sesi rivali i tij, Sharl Lëklerk i Ferrarit, doli triumfues. Si ka mundësi që Red Bulli dominues i vitit të kaluar, po has këto probleme?

“Ne ishim shumë prapa Ferrarit edhe pa ndodhur ajo që ngjau më pas, – tha holandezi, – sot unë nuk mund të mendoj për të luftuar për titullin, por për të mbyllur garat. Është diçka shumë dëshpëruese dhe e papranueshme. Këto gjëra nuk mund të ndodhin në makinën e dikujt që synon titullin”. Për momentin, piloti i Red Bullit është në vendin e gjashtë në renditjen e pilotëve, me vetëm 25 pikë ndaj 71 të Lëklerkut, madje duke qenë prapa Ljuis Hamiltonit që ka 28 pikë.

Sfidanti.al