Vera e madhe e Italisë, titulli i tretë kontinental u arrit në Europianin e volejbollit për meshkuj!

Një verë italiane, këndonte Xhana Nanini në këngën e hapjes së Kupës së Botës në 1990. Atëherë nuk ishte e kaltër sa duhet, por kjo e 2021-it kaloi çdo parashikim. Nëse shtatorin e quajmë vazhdim të verës, atëherë Italia kompletoi marshimin e saj triumfues duke marrë titullin e tretë të madh kontinental.  Kombëtarja italiane e volejebollit për meshkuj fitoi Kampionatin Europian pas një finaleje tepër emocionuese, dhe deri në fund të ekuilibruar ndaj Sllovenisë, me shifrat 3-2. Rezultati i seteve ishte 22-25, 25-20, 20-25, 25-20 dhe 15-11 në finalen që zgjati 2 orë e 24 minuta, në prani të 7 000 tifozë në Arenën “Spodek Katovice” në qytetin e Katovicës në Poloni.

Skuadra e trajnerit Ferdinando De Xhorxhi përballoi presionin, ndërsa më i miri në parket ishte Daniele Lavia me 21 pikë e 10 bllokime, ndjekur nga Alesandro Mikeleto dhe Xhulio Pinali. Për sllovenët më të mirët ishin Pajenik, Stern dhe Cebulj. Lojtari më i mirë i Europianit u shpall Simone Xhaneli gjithashtu i Italisë, ndërsa ky ishte titulli i 7-të për të kaltrit, që mbeten vetëm prapa Rusisë që ndjek traditën e ish-Bashkimit Sovjetik. Ky ishte suksesi i dytë në të njëjtin sport, pasi disa javë më parë, vajzat italiane u shpallën kampione të Europës me finalen e fituar ndaj Serbisë. Në korrik u fitua titulli i madh në futboll, kur të kaltrit e trajnerit Roberto Mançini triumfuan ndaj Anglisë në “Uembli” në finalen e Kampionatit Europian të futbollit.

Sfidanti.al