“Vallja e aksidenteve” në Austri, Botas e Verstapen trondisin Formula 1

Paska qenë Çmimi i Madh i frikës. Një aksident serioz, por për fat pa pasoja, ndodhi në fundjavën e Austrisë në Formula 1, ndërsa Valteri Botas u përplas me makinën e tij Merdedes. Piloti finlandez e dëmtoi shumë makinën në një kthesë të fortë të pistës së Red Bullit në Shpilberg, dhe pas kësaj u dërgua për të bërë vizitën mjekësore.

Ndërsa, provat e lira vazhdonin, mjekët për fat dhanë përgjigje pozitive dhe Botasi do të mundë të marrë pjesë në Çmimin e Madh të Austrisë, pra në provat zyrtare dhe në garën e së dielës.

Një tjetër aksident i ndodhi Maks Verstapenit në timonin e makinës së shtëpisë, Red Bullit, edhe pse më pak dramatik sesa i pari. Holandezit i doli njëvendëshja nga kontrolli, dhe pas përplasjes iu dëmtua pjesa anësore. Edhe ai, ashtu si Botasi, nuk mori pjesë më tej në provat e lira.

Më shumë fat pati Sebastian Fetel i Ferrarit, por gjermani e ndaloi “kokëkuqen” në kohë, duke arritur të kthehet në pistë. Ky ishte lajmi i dytë i mirë për skuadrën italiane, sepse fakti kryesor ishte vendi i parë i zënë nga Sharl Leklerk.

Kjo do të thotë se Ferrari ka mundësi në Austri të sfidojë Mercedesin, që deri tani ka fituar çdo garë. Kampioni i botës në fuqi, dhe kryesuesi i renditjes, Ljuis Hamilton, doli vetëm në vendin e katërt, ndonëse gjithçka mund të ndryshojë deri të dielën.

Sfidanti.al