Kur një lojtar është 19 vjeç dhe “bën naze” për kontratën, sepse kërkon më shumë para, atëherë kjo nuk shkon aspak. Ky është mendimi i ish-sulmuesit të Francës, Kristof Dygarri, kampion i botës në 1998. “Ti diskuton nëse rroga jote të do të jetë 12, 13, 14 apo 15 milionë euro (në vit)?, – u shpreh Dygarrija për “RCM Sport”, – ç’kuptim ka kjo? Ti do të kesh një makinë më shumë, 50 metra katrorë më shumë në apartamentin tënd dhe 10 metra më shumë në jahtin tënd. Nëse ai mendon vetëm anën financiare, atëherë mua më vjen për të vjellë”.
Duket se pikërisht rroga vendosi që Barcelona fillimisht të hiqte dorë nga kapiteni i Ajaksit, dhe më pas këtë ta bënte edhe Paris SG. Qendërmbrojtësi i Holandës duket fare pranë Juventusit, që do t’i japë një rrogë më të madhe. “De Ligti është i shkëlqyer, është një mbrojtës i madh, por me këtë mentalitet mund të mos zgjasë shumë, nuk është e mundur”, – vazhdoi Dygarri. Ndoshta, De Ligti mund të thotë se shkoi tek Juventusi për të fituar trofe, dhe për të luajtur me Kristiano Ronaldon, veçse diçka të tillë mund t’ia kishte ofruar edhe Barcelona, dhe në “Kamp Nou” do të kishte mundësi të luante me Lionel Mesin dhe shokun e tij tek Holanda dhe Ajaksi, Frenki De Jongun.
Sfidanti.al