Usain Bolt vazhdon të fitojë, por superylli xhamajkan po ndjen plakjen pikërisht në metrat e fundit të karrierës. Fitorja “si e Pirros” në Mitingun e Ligës së Diamantit në Montekarlo tregoi se atleti 30-vjeçar nuk është në formën e tij më të mirë. Ai mezi la pas me 3 të qindat amerikanin Jang, ndërsa koha ishte “krejt normale”, 9 sekonda e 95 të qindat, ku e ku me 9 sekonda e 58 të qindat, vendosur në Botërorin e Berlinit në 2009. Ishte fitorja e fundit në garën e tij të fundit në karrierë në një Miting të Ligës së Diamantit, garë që e nisi shumë keq, por arriti ta përfundojë i pari.
Bolt nuk ka shumë kohë për të marrë veten. Kampionatin Botëror në Londër, gara e fundit në karrierën e tij të shkëlqyer, nis në 4 gusht, pra pas më pak se dy javësh, kohë që nuk dihet nëse do të mjaftojë për rekordmenin botëror në 100, 200 e 4×100 metra.
Sfidanti.al