Romelu Lukaku nuk ishte një fëmijë i zakonshëm. Të paktën, në aspektin fizik. Djaloshi me origjinë nga Kongo, që lindi në Belgjikë, ishte shumë më i zhvilluar se vërsnikët e tij, aq sa detyrohej të mbante me vete dokumente identifikimi që të bindte të tjerët për moshën e tij. Futbolli ishte jeta e Romelut të vogël dhe të ri, veçse nuk qe aspak e lehtë. Familja e tij ishte e varfër (paska edhe të tillë në Europën e pasur Perëndimore?!), mamaja një pastruese e shkretë dhe babai një ish-futbollist që nuk fitonte shumë të ardhura. Babi, madje detyrohej të dërgonte para në shtëpi, në Kongo, pasi nuk ishte nga ata “gjakprishur” që harrojnë prejardhjen.
Gjithsesi, me ndihmën e shkollës dhe të familjes, Lukaku u bë “burrë”, pra edhe futbollist. E mori Çelsi që kur ishte 18 vjeç, ndërsa e kishte ndjekur që në moshën 12-vjeçare. Murinjo erdhi dhe e shiti kur ishte 21 vjeç, por vetë Zhoze e ndreqi gabimin, nëse do të pranonte ta quante të tillë. Lukaku tregon se Murinjo i bëri katër oferta dhe i telefonoi shumë herë, ndërsa Antonio Konte vetëm një herë (ndoshta, ishte koha kur italiani nuk i kishte mirë punët me Çelsin). Në fund, u bind për t’u bashkuar me Mançester Junajtidin dhe Murinjo është i bindur se 75 milionë paundët (gati 86 milionë euro) e shpenzuar për të nuk janë asgjë e jashtëzakonshme, për atë që do të japë në fushën e lojës.
Sfidanti.al