Usain Bolt vuante në pistë, kjo ishte mëse e dhimbshme!

“Nuk ishte kjo mënyra, me të cilën unë desha ta mbyllja karrierën time në pistat e vrapimit. Gjithçka që kam pasur, e kam dhënë nga vetja dhe e kam lënë në pistë”, deklaroi Usain Bolt mbas garës së stafetës 4×100 metra, ku ai dështoi, pasi u bllokua dhe u rrëzua afro 50 metra para finishit. “Më vjen keq që nuk mund të përshëndetesha në mënyrën që më takonte me të gjithë opinionin publik, por, sidoqoftë, unë u shpreh mirënjohjen time të gjithë atyre që më kanë mbështetur gjatë viteve”, tha Bolti.

Por nuk ishte aq gojëmbël miku dhe bashkëgaristi i tij në ekipin e Xhamajkës, Johan “Xhon” Blejk, që të gjithë fajin për dështimin e Usain Boltit ua vuri organizatorëve të kampionatit botëror të atletikës.

“Fillimi i garës u vonua 10 minuta, ndërkohë që, paraprakisht, neve na mbajtën mbyllur plot 40 minuta. Kjo ishtë një çmenduri e vërtetë. Na lanë që të prisnim kaq gjatë, pasi kishte dy ceremoni dhënijeje medaljesh. Ne u përpoqëm që të bënim nxemje, por pastaj na thanë se duhet të prisnin edhe ca kohë. Ishte, më të vërtetë, e dhimbshme, kur shihje një legjendë dhe kampion të tillë, si Usaini, që të vuante midis dhimbjeve të forta në pistë”, tha Xhon Blejku.

Sfidanti.al