U deshën 4 orë e 14 minuta që ai të pranonte humbjen, një nga të rrallat në karrierë. Uimbëlldoni mbeti pa “mbretin” e tij, Rozher Federer, që u mposht në çerekfinale nga Kevin Andersoni, pas një maratone prej 5 setesh. Zvicerani, 8 herë fitues i këtij Grand Slemi, kryesoi 2-0 me sete dhe pati në dorë pikën e ndeshjes në të tretin, por gjithçka papritur u përmbys në mënyrën më të pabesueshme.
Afrikanojugori Anderson triumfoi me setet 2-6, 6-7, 7-5, 6-4, 13-11. Edhe ai nuk ishte shumë i ri, 32 vjeç, por më i fortë fizikisht dhe me shërbim tepër të shpejtë. Shtatlartë 2 metra e 3 centimetra, ai përballoi klasin e Federerit dhe padyshim është pretendent për titull, me gjysmëfinalen ndaj amerikanit Ajsner.
Gjithsesi, tifozët në “Oll Inglends Klab” (All Englands Club) po thërrasin, “mbreti vdiq, rrofshin mbretërit”. Ata që kanë mbetur janë emra drithërues dhe do të jetë një gjysmëfinale e madhe, Rafael Nadal kundër Novak Gjokoviçit. Spanjolli, 17 fitues i Grand Slemeve, përballë serbit, 12 herë fitues. Mbi ta, vetëm Federeri me 20.
Nadal pati edhe ai një betejë epike, ndaj argjentinasit Del Potro, fituar gjithashtu në 5 sete. Ai luftoi për 4 orë e 48 minuta me rezultatin e seteve, 7-5, 6-7, 4-6, 6-4, 6-4. Finalja e vërtetë e turneut, do të jetë të premten, mes 32-vjeçarit Nadal dhe 31-vjeçarit Gjokoviç. “Nole” kryeson 26-25 me fitore në bilancin mes tyre, ka 3 Uimbëlldonë ndaj 2 të Nadalit, që arriti në gjysmëfinale për herë të parë që nga viti 2011.
Sfidanti.al