Luka Modriç, mjeshtri i futbollit që nuk dorëzohet kurrë!

Ka qenë gjithnjë një nga të mëdhenjtë e futbollit, por kurrë nuk është quajtur “kryetari”. Luka Modriç ishte dhe mbetet një shtyllë e Realit të Madridit, padyshim e Kroacisë, edhe pse në Spanjë jetoi nën “hijen” e Ronaldos apo Ramosit. Gjithsesi, ajo që dha ndaj Anglisë me siguri ia ka “çimentuar” vendin mes legjendave të këtij sporti.

Kroacia është në finale të Botërorit, një ëndërr realisht e pabesueshme për këdo, më së shumti për meritë të tij. Mediat britanike nuk ngurruan ta veçonin nga një formacion kroat të mbushur me yje. “Magjiku Luka Modriç çorodit Anglinë, titullon “Deili Meili”, – Mjeshtri sugjestionues udhëheq vallen e gëzuar të Kroacisë, që theu zemrën e “tre luanëve” në gjysmëfinale”.

“Vullneti i Modriçit për të mos iu dorëzuar humbjes, ishte arsyeja kryesore që Kroacia ia doli”, nxjerr përfundimin tabloditi londinez. Jo më kot, Andres Iniesta, një mjeshtër sugjestionues edhe vetë, e quajti kroatin si “një nga dy mesfushorët më të mirë që kam parë ndonjëherë”.

Pas ndeshjes u botua edhe harta me lëvizjet në fushë të Modriçit, dhe u kuptua se me çfarë ritmi dhe dëshire kishte luajtur ai. Po ashtu, u dha statistika me 88 për qind të saktësisë në pasim,  98 prekje të topit dhe 3 rasteve për gol të krijuara. Nuk dihet nëse magjiku i Realit do t’ia dalë edhe ndaj Francës.

Sfidanti.al