Uestbruk shkëlqen me 39 pikë, por Hjustoni humb nga koshi në sirenë!

Një sezon sakrificash për njeriun e mësuar me rekorde. Rasëll Uestbruk bënte çfarë donte tek Oklahoma, dhe ishte “mbreti i tripëll dabëllit”, veçse fanelën e ndryshoi për diçka tjetër, që ta fitonte më në fund një titull në NBA. Nuk dihet nëse do t’ia dalë, por po përpiqet të përshtatet në një ekip ku “primadona” ka qenë gjithnjë një tjetër, Xhejms Hardeni.

Gjithsesi, Uestbruku mund të mos arrijë të shprehet në specialitetin e tij për tripëll dabëll, por po shënon gjithnjë më shumë. Ishte më i miri në fushë në ndeshjen në fushën e vet ndaj Juta Xhazit, duke shënuar plot 39 pikë. Ai pati edhe 6 topa në tabela e 4 asistë, ndonëse tripëll dabëllin e pati Hardeni. “Mjekra” shënoi 28 pikë, kapi 10 topa në tabela e shërbeu 10 asistë.

Uestbruk mbajti në lojë Hjustonin duke shënuar radhazi, ndonëse Juta nuk u dorëzua në asnjë moment, madje arriti ta fitonte ndeshjen. Pavarësisht pikëve të yllit të vendasve, miqtë u afruan gjithnjë e më shumë, madje kaluan në avantazh në periudhën e katërt. Në fund, Uestbruk, por edhe Hardën, Korrington e Taker e kaluan sërish Hjustonin në avantazh, por sfida u vendos në sekondën e fundit. Bojan Bogdanoviç shënoi koshin tripikësh pikërisht në momentin e sirenës, dhe përfundimi ishte 114-113 për Jutën.

Sfidanti.al