Detyra e tij është të udhëtojë, të takojë dhe të vlerësojë. Edi Reja bëri një ndalesë në Veronë, për të ndjekur futbollistin e Helasit dhe të kombëtares shqiptare, Marash Kumbullën. Fillimisht, ai ishte në kryeqytetin italian, ku pati rast të vëzhgonte Kumbullën, por edhe portierin e kombëtares, Tomas Strakoshën, në ndeshjen Lacio-Verona që përfundoi 0-0. Më pas, pa shumë vonesë mori taksinë dhe shkoi në kompleksin stëvitor të Helasit.
Siç raportojnë mediat italiane, vizita e Rejës në klubin veronez ishte për të studiuar taktikën e trajnerit vendas, Ivan Juriçit, kroatit që po drejton shkëlqyeshëm skuadrën në Serinë A. Me këtë rast, padyshim pati rast edhe të bisedonte nga afër me Kumbullën, duke e pyetur për formën fizike dhe psikologjike. Me siguri, trajneri i kombëtares shqiptare duhet të ketë mbetur i kënaqur, pasi mbrojtësi i qendrës po kalon një moment shumë pozitiv.
Këtë e tregoi edhe në duelin ndaj Juventusit në Serinë A, fituar 2-1 nga Verona, dhe ku Kumbulla shënoi gol të anuluar për pozicion jashtë loje milimetrik, si dhe fitoi penalltinë që vendosi suksesin. i pyetur nga mediat për 20-vjeçarin, Reja dha një përgjigje të shkurtë. “Kumbulla është vërtet i ri, por është duke luajtur sikur të ishte ndonjë veteran”, – ishin fjalët e 75-vjeçarit.
Reja e ka thirrur për herë të parë futbollistin në kombëtare 5 muaj më parë, në prag të ndeshjeve ndaj Francës dhe Islandës, ndërsa debutoi për Shqipërinë në fitorej 4-0 arritur në Çisinau ndaj Moldavisë për Europianin.
Sfidanti.al