Nkunku rikthehet te Leipzig

Christopher Nkunku është zyrtarisht një lojtar i RB Leipzig, duke u rikthyer në klubin gjerman pas tri sezonesh dhe duke mbyllur përkohësisht aventurën e tij te Milani. Sulmuesi francez kalon te Leipzigu në formën e huazimit me pagesë, me klubin gjerman që do të paguajë 3 milionë euro për huazimin e tij, ndërsa marrëveshja përfshin edhe një detyrim blerjeje prej 28 milionë eurosh. Për të lehtësuar largimin e ish-lojtarit të Chelsea-t, Milani ka pranuar të mbulojë një pjesë të pagës së futbollistit, duke bërë të mundur përshtatjen e pagës së francezit me parametrat financiarë të vendosur nga Leipzigu.

Pas zyrtarizimit, Nkunku nuk e fshehu kënaqësinë për rikthimin në Gjermani. “Kur mësova për mundësinë për t’u rikthyer te Leipzigu, nuk hezitova. Jam shumë i lumtur që jam kthyer këtu. Jam në formë shumë të mirë dhe dua ta ndihmoj skuadrën sa më shpejt të jetë e mundur. Mezi pres të luaj sërish para tifozëve tanë në Red Bull Arena”, deklaroi francezi. Për Nkunku nis kështu një kapitull i ri në një ambient që e njeh shumë mirë, ndërsa Leipzigu shpreson që rikthimi i tij të sjellë sërish cilësinë dhe ndikimin që sulmuesi francez pati gjatë periudhës së parë me klubin gjerman.