Një ish-kampion i shumëfishtë i boksit në Serbi, i identifikuar nga mediat si Dositej Todorovski, është lënë në paraburgim në Zagreb, pasi ndaj tij janë ngritur akuza për përdhunim, dhunë në familje dhe zhvatje. Sipas kallëzimit penal, ngjarja e dhunës dyshohet se ka ndodhur në banesën që i dyshuari dhe ish-partnerja e tij kishin në Zagreb, ku ai akuzohet se e ka sulmuar fizikisht gruan dhe i ka vendosur një zinxhir rreth qafës.
Pas largimit të saj drejt Serbisë, situata dyshohet se ka vijuar përmes kërcënimeve, pasi i dyshuari akuzohet se i ka dërguar mesazhe kërcënuese me jetë dhe i ka kërkuar 1,080 euro. Autoritetet kroate kanë caktuar masën e paraburgimit për shkak të rrezikut se i dyshuari mund të arratiset, të përsërisë veprën penale ose të ndikojë te dëshmitarët. Todorovski, i cili përveç shtetësisë serbe ka edhe atë kroate, mban gjithashtu rolin e ambasadorit sportiv të Serbisë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ish-boksieri i ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa sa i përket shumës prej 1,080 eurosh, ka deklaruar se bëhet fjalë për një borxh dhe jo për zhvatje. Ndërkohë, gjatë qëndrimit në ambientet e ndalimit, ai ka kërkuar në disa raste ndihmë mjekësore urgjente, duke pretenduar se vuan nga epilepsia dhe një tumor. Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa akuzat ndaj tij mbeten pjesë e procedurës gjyqësore dhe duhet të provohen përpara gjykatës.

