Rasëll Uestbruk me shumë gjasa do të shpallet lojtari më i mirë i këtij sezoni në NBA. Nuk është aspak gjë e vogël të pasosh Stefën Kërrin, dhe më herët Lebron Xhejmsin në një ligë ku kampionët janë “me tonelata”. Ylli i Oklahomës fitoi duelin personal me strategun e Hjustonit, Xhejms Harden, ndonëse përballjen e luajtur në Hjuston e fitoi pikërisht ky i fundit. Teksanët triumfuan 137-125, ndërsa Uestbruk shënoi 39 pikë, kapi 11 topa në tabela dhe shërbeu 13 asistë. Harden pati 22 pikë, 5 topa në tabela dhe 12 asistë.
Ylli vendas, rivali kryesor i atij të Oklahomës, e luajti ndryshe ndeshjen e tij, edhe për shkak se Rokits është ekip shumë më i fortë sesa Thandër, dhe pretendon për titull me rivalë si Golden Stejti, Klivlendi dhe San Antonio. Jo më kot Hjustoni është në vendin e tretë në Perëndim.
Gjithsesi, Uestbruk nuk ka faj që Oklahoma nuk është aq e fortë, pasi ky ekip nuk i ka lojtarët e duhur. Uestbruk pati “tripëll dabëllin” e 36-të të sezonit, vetëm 5 më pak se rekordmeni Oskar Robertson, ndërsa ka në dispozicion edhe 10 ndeshje. Po ashtu, Uestbruk është shumë pranë arritjes së rekordit tjetër, atij të “tripëll dabëllit” sezonal, diçka që në gjithë historinë e NBA-së e ka bërë vetëm Oskar Robertson.
Sfidanti.al