Është e ditur se basketbolli amerikan është një spektakël i madh, ku rekordet janë të shumta dhe heronjtë shfaqen me fytyra nga më të ndryshmet. Një nga kategoritë është ajo e tripëll dabëllit, pra kur një lojtar ka me dy shifra (10 e lart) edhe pikët, edhe topat në tabela, edhe asistet. “Mbreti” i momentit është padyshim Rasëll Uestbruk që realizoi sërish tripëll dabëll, dhe pikërisht në ndeshjen e fundit të sezonit të rregullt, fituar ndaj Miluokit, 127-116.
Ylli me numrin zero pati 15 pikë, 11 topa në tabela dhe 17 asistë, duke u barazuar me të famshmin Mexhik Xhonson, në vend të dytë të renditjes së të gjitha kohëve, që të dy me nga 138 tripëll dabëlla. Në vend të parë mbetet Oskar Robertson me 181 të tilla, veçse duket se Uestbruku mund ta kalojë që sezonin e ardhshëm, ose për dy vjet. Gjatë këtij edicioni, basketbollisti me numrin 0 pati 34 tripëll dabëlla. Po ashtu, Uestbruk realizoi sezonin e tretë radhazi me mesatare tripëll dabëlli, një rekord historik, pasi përpara tij vetëm Oskar Robertsoni kishte realizuar të paktën 1 vit me tripëll dabëll.
Nëse Uestbruku është “mbreti i kurorëzuar”, Luka Donçiç është njeriu që do të përpiqet të jetë pasardhësi. Ylli nga Sllovenia kaloi pikërisht Mexhik Xhonsonin, në vendin e tretë në histori për debutuesit që shënojnë tripëll dabëlla. Donçiç realizoi tripëll dabëllin e 8-të për edicionin, ndërsa Mexhik Xhonson kishte arritur në 7. Në vend të parë është Oskar Robertson me 26 tripëll dabëlla si debutues, ndërsa i dyti Ben Sajmons me 12, sezonin e kaluar.
Sfidanti.al