Arsenal-Napoli është kryendeshja e Ligës së Europës, premton spektakël!

Lajmet janë të mira. Granit Xhaka dhe Loren Koshielni mund të jenë të gatshëm për trajnerin Unai Emeri, ndërsa Arsenali luan shanset për trofe në Ligën e Europës ndaj Arsenalit. Përballja do të jetë në stadiumin “Emirejts”, aty ku londinezët kohët e fundit kanë qenë të suksesshëm, duke fituar 14 nga 15 ndeshje.

Edhe pse paraqitja në Europë ka qenë e mirë, sërish presioni është i madh, pasi humbja e fundit në Premier Ligë ndaj Evertonit rrezikon kualifikimin në Champions sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, Arsenali ka nevojë të fitojë, ashtu siç bëri ndaj Renës raundin e kaluar, duke u kualifikuar. Një tjetër lajm i mirë është që Mesut Ozil më në fund ka fituar besimin e trajnerit, pasi kritikave gjatë sezonit, ndërsa mungesa do të jenë Bejelin apo Uelbek.

“E dimë se na duhet fitorja, – tha Emeri, – luajmë ndaj fushës sonë dhe nuk mund të mendojmë gjë tjetër, aq më tepër që jemi përpara tifozëve tanë. Po ashtu, nuk duhet të pësojmë gola. Napoli ka lojtarë të rrezikshëm, pavarësisht se në ndeshjet e fundit nuk kanë qenë në formën më të mirë. Duhet të jemi të përgatitur për gjithçka”.

Napoli ndihet më i qetë sesa londinezët, edhe pse nuk ka shkëlqyer aspak në ndeshjet e fundit. Gabimet në Serinë A vështirë t’ia rrezikojnë vendin në Champions, pasi diferenca me ndjekësit është e madhe, ndaj trajneri Karlo Ançeloti mund të përqëndrohet në Europë. Diauara dhe Albiol mungojnë për italianët, por Insinje dhe Verdi duhet të luajnë. Trajnerit Karlo Ançeloti iu kujtua fitorja 5-1 e Bajernit të tij ndaj Arsenalit pak vjet më parë.

“Ky Arsenal është i ndryshëm nga ai që u mund thellë nga Bajerni im, – deklaroi Ançeloti, – ajo ndeshje është thjesht një kujtesë e bukur për mua, por asgjë më shumë. Sot është një ndeshje tjetër. Arsenali është mjaft konkurrues në Angli dhe në Europë, ndërsa Unai Emeri, për mendimin tim, është një trajner i shkëlqyer”.

Skuadra tjetër angleze, Çelsi, do të luajë në fushën e Slavias së Pragës, një kundërshtari të rrezikshëm që eleminoi Seviljen, edhe pse nuk mund të quhet favorit ndaj londinezëve. Ajntrahti i Frankfurtit, pasi mposhti Interin, do të dëshirojë të eleminojë Benfikën, me ndeshjen e parë sonte në Lisbonë, ndërsa po në orën 21:00 do të luhet derbi spanjoll mes Vijarrealit dhe Valencias.

Sfidanti.al