Karateistja e talentuar Mikela Skandaj vijon të regjistrojë rezultate të shkëlqyera në arenën ndërkombëtare, teksa e ka filluar më këmbë të mbarë sezonin 2024. 14-vjeçarja lezhjane i ka shtuar koleksionit të saj një tjetër medalje ari, duke triumfuar në turneun ndërkombëtar “Heart Cup”, event i zhvilluar në Trevizo të Italisë. Një kompeticion me konkurrencë të lartë, që pa të garonin 931 sportiste nga 6 shtete të ndryshme të Europës si Italia, Austria, Belgjika, Gjermania, Çekia dhe Zvicra. Ndonëse nuk vinte në formën e saj më të mirë fizike, pasi gjatë ditëve të aktivitetit kaloi një gjendje gripale, Mikela Skandaj, vendosi të konkurronte, duke mos e dëgjuar madje as këshillën e trajnerit që i kishte sugjeruar që të mos rrezikonte. Egoja dhe dëshira e madhe për triumfin u shpërblyen me vendin e parë në këtë event ndërkombëtar. Kujtojmë që prej kohësh Mikela Skandaj ka shprehur dëshirën e saj për të përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ndërsa me suksesin e fundit në Treviso ajo shënoi medaljen numër 55 në karrierë, ndonëse është vetëm 14 vjeç.
sfidanti.al