Ndodh shpesh që yjet kryesorë të dëmtohen, dhe lojtarët e tjerë të detyrohen të japin më shumë nga vetja për t’i zëvendësuar. Po e vuan Los Anxhelos Lejkërsi me Lebron Xhejmsin, por jo edhe aq Toronto Raptorsi pas lëndimit të Koui Leonardit. Basketbollisti kryesor mungoi në ndeshjen në shtëpi ndaj Sakramentos, por skuadra u bë “grusht” dhe e fitoi ndeshjen 120-105.
Kajl Louri, lojtari më i talentuar pas Leonardit, shënoi 19 pikë, kapi 4 topa në tabela dhe shërbeu plot 9 asistë. Serg Ibaka shtoi 15 pikë dhe 10 topa në tabela, Fred Vanvliti pati 19 pikë, 7 topa në tabela e 7 asistë, ndërsa Paskal Siakam ishte gjithashtu i dalluar me 18 pikë e 4 topa në tabela. Këtyre iu shtuan edhe lojtarët e ardhur nga stoli si Majls (15 pikë), Pauell (11), Rajt (9) dhe Busher (8).
Toronto mbetet një nga dy skuadrat më të mira të NBA-së, dhe numri 2 në Konferencën Lindore, me 36 fitore e 13 humbje, më lart sesa Golden Stejti, Hjustoni apo Oklahoma. Vetëm Miluoki i Janis Antetokumpos, për momentin, është më i suksesshëm.
Sfidanti.al