Komiteti Olimpik Ndërkombëtar arriti një marrëveshje me Pfizer/BioNTech në prag të Lojërave Olimpike dhe Paralimpike të Tokios për vaksinimin e sportistëve pjesëmarrës në këto kompeticione. Ishte vetë organizmi më i lartë sportiv në botë që njoftoi për këtë akord nëpërmjet një komunikate për shtyp.
‘Në kuadër të planeve për të garantuar siguri dhe mbrojtjen e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Tokyo 2020 u nënshkrua një Memorandum mirëkuptimi me Pfizer për dhënien e dozave të vaksinave anticovid për pjesëmarrësit dhe delegacionet e të gjithë vendeve pjesëmarrëse në Olimpike-shkruhej ndër të tjerat në komunikatën e IOC-Komitetet Olimpike Kombëtare do të bashkëpunojnë me qeveritë e vendeve të tyre për të koordinuar shpërndarjen e vaksinave konform protokolleve të vaksinimit të secilit prej vendeve’.
Dorëzimi i dozave të vaksinës do të nisë këtë muaj për t’u dhënë delegacioneve olimpike kohën e duhur për të qenë të vaksinuar me të dy dozat përpara se të udhëtojnë drejt Tokios për Lojërat Olimpike që do të nisin në 23 korrik. Ky është akordi i dytë i nënshkruar nga IOC në lidhje me vaksinimin e sportistëve. Në mars u njoftua për arritjen e një marrëveshjeje mes IOC dhe funksionarëve olimpikë në Kinë për blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave kineze në kuadër të Lojërave Olimpike të Tokios dhe atyre Dimërore të Pekinit.
Sfidanti.al