Tenisi humb një legjendë, por yjet ftojnë Marrejn të mos ikë

Do të largohet në përfundim të ndeshjes “së shtëpisë”, turneut të Uimbëlldonit, por ndoshta dëmtimi mund ta detyrojë ta mbyllë karrierën e tij të rëndësishme edhe vetëm pas një jave. Andi Marrej doli në konferencë për shtyp duke deklaruar se nuk do të vazhdonte më tej të ishte tenis profesionist, në një ngjarje që tronditi jo pak. Skocezi ishte i dëmtuar, dhe dihej se do ta kishte të vështirë të vazhdonte, por askush nuk mendonte se fundi do të ishte kaq i afërt.

“Unë do të luaj këtu, – tha ai në prag të Australian Openit, ndërsa sytë i kishte të mbushur me lot, – mund të luaj ende në një nivel të caktuar, por jo në nivelin që unë kam dashur gjithnjë të luaj. Do të bëj maksimumin që të jem edhe në Uimbëlldon, por më pas do të tërhiqem”. “Nuk ndihem aspak mirë tani që i them këto fjalë”, – vazhdoi britaniku 31-vjeçar. Ai ka 18 muaj që po lufton me dëmtimin, dhe ndonëse thotë se ndihet më mirë se në të kaluarën, sërish dhimbja vazhdon dhe nuk e lejon të jetë në maksimum.

Andi Marrej fitoi dy herë Uimbëlldonin në karrierë, në vitet 2013 e 2016, si dhe një herë US Openin në 2012. Ai arriti pesë herë në finale në Australan Open, dhe një herë në Rolan Garos në 2016, ndërsa doli dy herë kampion olimpik në 2012 e 2016, si dhe fitoi Turin Final në 2016.

Yjet e tenisit reaguan menjëherë për të. Huan Martin Del Potro i Argjentinës, që ka kaluar dëmtime të ngjashme me të skocezit, e nxiti atë që të mos dorëzohej. Amerikani Andi Rodik e quajti një nga “takticienët më të mirë në histori” dhe një “legjendë absolute”, ndërsa Billi Xhin King e lavdëroi shumë si “kampion brenda dhe jashtë fushe”, që nuk do të harrohet kurrë për luftën që bëri për barazi me gjinive.

Sfidanti.al