Të lumtë, Naomi Osaka, ikja nga Rolan Garosi është fitorja jote!

Përpara nisjes së turneut kishte bërë me dije se nuk ndihej shumë mirë nga ana psikologjike dhe se nuk dëshironte të dilte përpara mediave. Kështu tha Naomi Osaka dhe kështu bëri pas ndeshjes së raundit të parë që arriti ta fitonte. Për fatin e saj të keq, organizatorët e Grand Slemeve e kërcënuan me gjobë dhe me përjashtim nga Grand Slemet e ardhshëm nëse do të vazhdonte të bënte të njëjtën gjë. Ata i kujtuan rregullat, detyrimet se duhej të dilte para gazetarëve. Pasi e kuptoi se ishte e kotë që ata të bindeshin, japonezja e shkëlqyer e bëri vetë lëvizjen e saj.

“Largohem nga Rolan Garosi, – shkruajti ajo në faqen e saj zyrtare në rrjetet sociale, – kam pasur probleme me depresionin që kur fitova US Openin në 2018, dhe doja një pushim që nga polemikat që nisën javën e kaluar. Një situatë kjo që nuk e imagjinoja dot disa ditë më parë. Le të tërhiqem unë që gjithkush ta ketë mendjen tek tenisi që po luhet në Paris. Nuk kam ndërmend të dëmtoj shëndetin tim mendor. E bëra lajmërimin që parë sepse e dija se rregullat janë të dala nga moda pjesërisht”.

Sfidanti.al