Nuk mund të flitet vetëm për Lebronin, apo jo? Stefën Kërri nuk e tha, por ndoshta e mendoi, ndërsa bëhej gati për ndeshjen në Portlend. Nëse Xhejms mund të konsiderohet si më i miri lojtar në histori në raundin e parë të plej ofit, Stef gjithashtu ishte i shkëlqyer. Nuk mund të jetë ndryshe për një basketbollist që luan vetëm 29 minuta, shënon 37 pikë, kap 7 topa në tabela, shërben 8 asistë, dhe u vjedh dy topa kundërshtarëve.
Plani i trajnerit Stiv Kerr, që ishte sërish i sëmurë dhe jo i pranishëm në Arenë, duket se ka qenë ai i duhuri. Ylli kryesor i ekipit, 3 vitet e fundit, nuk u lodh aq shumë në sezonin e rregullt, për të qenë në formën e duhur në plej of. Me kontributin kryesor të Kërrit, Golden Stejt e eleminoi fare lehtë Portlendin, po ashtu si Klivlendi ia doli me Indianën.
Seria e raundit të parë përfundoi 4-0 për nënkampionët në fuqi të NBA-së. Lojtari me numrin 30 u la pushim në periodën e katërt, në një përballje ku meritë pati edhe Klej Tompsoni me 18 pikë dhe Drejmond Grin me 21. Lajm i rëndësishëm, kthimi në skuadër i Kevin Durantit, që mungoi në dy ndeshjet e kaluara për shkak dëmtimi. Ai luajti vetëm 21 minuta dhe shënoi 10 pikë, por pritet të jetë vendimtar në rrugën drejt titullit.
Sfidanti.al