Nuk ka qenë kurrë e lehtë të fitohej në fushën e Majemit, por kjo Oklahomë me këtë yll në udhëheqje, nuk e pati problem. Triumfoi 106-94 dhe Rasëll Uestbruk vazhdoi “karuselin” e tij që nuk di të ndalet. Ai realizoi “tripëll dabëllin” e 15-të të sezonit, duke mbetur në shifra mesatare “tripëll dabëlli”, ndërsa ekipi i tij tashmë ka një bilanc vërtet për t’u lavdëruar, 20 fitore e 12 humbje, duke ngjitur shkallët në renditjen e Konferencës Perëndimore në NBA.
Në Majemi, Uestbruk tregoi se ka arritur një nivel të tillë që bën në parket çfarë dëshiron, apo çfarë krijon me mendjen e tij. Profesionisti e ka kthyer profesionin në art, dhe ai shënon duke hyrë në rol, duke aktruar. Ecën drejt koshit dhe duart, këmbët apo fytyra duket sikur nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, sikur veprojnë në liri të plotë, shenjë se po arrin përsosmërinë. Kohët e fundit as nuk po e humbet topin shpesh si më parë, dhe nuk do të ishte aspak gabim të thuhej se spektakli aktualisht në NBA mban emrin e tij.
Kampionati më i madh i basketbollit në botë gjithnjë ka qenë i ndërtuar si shfaqje, koha e ndeshjeve në televizion quhet “Koha e Shfaqjes” (Shoëtime), sipas kërkesave të një publiku ekzigjent, që nuk është tepër tifoz, dhe dëshiron të shijojë mbrëmjen dhe paratë që ka shpenzuar për biletën. Që nga koha e Bill Rasëllit “violinat e para” nuk kanë munguar. Mjafton të sjellësh ndërmend emrat e Uilti Çembërlenit, Karim Abdul Xhabarit, Mexhik Xhonsonit, Lerri Bërdit, Karl Malounit, Xhon Stoktonit, Patrik Juingut, Majkëll Xhordanit, Kobi Brajantit apo Lebron Xhejmsit, pa harruar Kevin Durantin. Sezonin e kaluar ishte Stefën Kërri, ndërsa tani është Rasëll Uestbruku.