E paska ligj që të triumfojë, jo thjesht të fitojë. Spanja e bëri këtë vitin 2006 kur u shpall kampione e botës në basketboll për meshkuj duke mundur Greqinë 70-47, dhe e përsëriti 13 vjet më vonë. Finalja ndaj Argjentinës nuk pati thuajse asnjë mundësi për garë dhe iberikët dominuan me shifrat 95-75, falë një paraqitjeje sipërore.
“Furitë e Kuqe” tani janë në elitën e koshit në rruzull me 2 tituj, menjëherë pas Shteteve të Bashkuara e Jugosllavisë me nga 5, dhe ish-Bashkimit Sovjetik me 3. Diçka e madhe për një basketboll që ishte fuqi europiane, por kurrë një pretendent i madh në botërorë.
“Një ëndërr e madhe, – titulloi “Marka”, – një ekip që e shkruajti emrin me germa të mëdha, kaloi çdo vështirësi, dhe arriti suksesin më të madh në histori”. “Faleminderit, – thotë “AS”, – Spanja merr titullin e dytë botëror pas shkatërrimit të Argjentinës në finalen e Pekinit”.
Edhe gazetat katalanase nuk e fshehën entuziazmin. “Kampionë të dyfishtë të Botës, – titulloi “El Mundo Deportivo”, – Spanja thërrmon Argjentinën në finale, dhe merr titullin e dytë pas 2006-ës”. “E lavdishme, – shkruan “Sport”, – kampionë të botës. Seleksioni spanjoll fiton titullin e dytë botëror, pasi i dha drurin Argjentinës, në një finale ku shkëlqeu Riki Rubio”.
Titulli ishte lajm kryesor edhe për të përditshmet e përgjithshme, me gazetën “El Pais” që e quan “legjenda e pafundme e seleksionit spanjoll të basketbollit”, apo me gazetën tjetër “ABC” që e vlerëson Spanjën si “ekipi më i mirë në botë” që fitoi titullin e dytë në basketboll. “E artë e besimit”, titullon “El Mundo”, që i kushton një mbulim të zgjeruar triumfit të madh të kombëtares së koshit.
Çfarë e bëri Spanjën kaq të veçantë në Arenat e Kinës? Udhëheqësi i kampionëve të botës ishte Mark Gasol, lindur në Barcelonë, dhe që luan për Toronton në basketbollin amerikan. Tridhjetekatërvjeçari ishte dominues me eksperiencën dhe shtatlartësinë prej 2.16 metrash.
Ylli tjetër ishte Riki Rubio, gjithashtu katalanas, që u shpall Lojtari më i mirë i Botërorit. Basketbollisti i Feniksit tregoi klas të lartë dhe rivalët nuk mundën ta ndalnin në asnjë ndeshje. Të rëndësishëm edhe dy vëllezërit Hernangomez që luajnë në NBA, Jul e Fernandez të Realit, dhe Ribas e Klaver të Barcelonës.
Strategu i këtij ekipi ishte trajneri Serxho Skariolo, një profesionist me 30 vjet përvojë, që ka drejtuar Milanon në Itali, Realin e Madridit në Spanjë, kombëtaren spanjolle, Himkin e Moskës në Rusi, dhe që është ndihmëstrajner tek Toronto Raptors, duke dalë këtë vit kampion i NBA-së.
“Dua të falenderoj lojtarët e mi, – tha italiani, – ata ishin të mëdhenj që nga dita e parë e deri në finale. U ndjeva mirë përpara ndeshjes, pasi pashë se lojtarët e mi ishin të përqëndruar, duke e respektuar kundërshtarin, një kundërshtar që meritonte respektin. Dua të falenderoj stafin tim teknik, klubin tim Toronton që më lejoi të isha këtu, dhe Federatën që më lejoi të shkoja në NBA. Ne nuk ishim ekipi më shtatlartë, as më i talentuar, por punuam shumë dhe ishim të bashkuar”.
Spanjollët do të dëshirojnë të vazhdojnë dominimin, por heronjtë e sotëm janë mbi 30-vjeçarë, dhe për një tjetër titull do të duhen yje të rinj.
Sfidanti.al