Dy vjet më parë ishin në Finalen e Madhe, por nuk ia dolën. Basketbollistët e Majemi Hitit duan të përsërisin suksesin e 2020-ës dhe duket se kanë një shans të mirë për t’ia dalë. Suksesi ndaj Atlantës me shifrat 97-94 i siguroi kualifikimin për në raundin e dytë të plej ofit, dhe ishte një konfirmim për ekipin që kishte dalë i pari në sezonin e rregullt në Konferencën e Lindjes. Kur kalon Miluokin, Filadelfian, Bruklinin apo Bostonin gjatë një viti, pse të mos synosh titullin? Kualifikimi u realizua me rezultatin shumë të mirë me fitore, 4-1, edhe pse ndeshja e fundit ndaj Atlantës ishte shumë e vështirë.
U desh një Oladipo papritur në formë të madhe me 23 pikë të shënuara, si dhe një Bam Adebajo me 20 pikë, 11 topa në tabela e 4 asistë. U desh po ashtu prova shumë e mirë e Tajlër Herros me 16 pikë dhe ajo e Maks Strasit me 15, që vendasit të përballonin një kundërshtar mjaft të fortë, për të cilin Hanter shënoi 35 pikë dhe kapi 11 topa në tabela. Majemi pret fituesin mes Filadelfias e Torontos për të mësuar kundërshtarin e raundit të dytë. Ekipi nga Florida shpreson të marrë titullin e parë në NBA që nga viti 2013, kur gjatë epokës së Lebron Xhejmsit u fituan dy kurora.
Sfidanti.al