Shqipëria do medalje në Botërorin e mundjes, por shteti jep buxhet nga 20 deri 200 herë më pak se shtetet medaliste!

Emrat e tyre janë të njohur. Mundësit me origjinë nga Çeçenia, pra me nënshtetësinë e dikurshme ruse, Zelimhan Abakarov dhe Islam Dudajev, janë bërë të shquar për Shqipërinë duke na sjellë 8 medalje. Pasi fituan medalje ari në Lojrat Mesdhetare dhe medalje bronzi në Europian, ata do të synojnë podiumin në Botërorin që ka nisur në Beograd. Dy sportistët, pasi kryen fazën përgatitore, kanë udhëtuar sot për në Serbi, aty ku do të shkojë edhe presidenti i Federatës, Sahit Prizreni. “Besoj se ky Botëror do të jetë një shkëndijë për sportin e mundjes dhe sportin shqiptar në përgjithësi, – thotë Prizreni, – shpresoj që jo vetëm të fitojmë medalje, por edhe që himni shqiptar të këndohet në Beograd”. Pra, synohet maksimumi i mundshëm, medalja e artë. Prizreni thotë se shanset janë rritur sepse Rusia është e përjashtuar për shkak të sanksioneve të vendosura pas sulmit ushtarak në Ukrainë, dhe siç thotë ai “Rusia është atdheu i sportit tonë”. Gjithsesi ish-kampioni, sot president, tregon edhe për diferencën financiare të Shqipërisë me vendet e tjera që duan medalje. “Kam folur me presidentët e federatave në Bullgari dhe Turqi, – thotë ai, – ata kanë buxhet prej 3 milionë eurosh, Bullgaria, dhe 15 milionë euro Turqia. Ne e kemi 72 000 euro!”

Sfidanti.al