Liga NBA ka miratuar zyrtarisht shitjen e shumicës së aksioneve të Los Angeles Lakers, duke vulosur një nga tranzicionet më historike në sportin amerikan. Të gjitha ‘franchise’-at votuan unanimisht pro kalimit të kontrollit te Mark Walter, CEO i grupit TWG Global. Kështu, familja legjendare Buss largohet nga drejtimi i klubit pas afro gjysmë shekulli, duke lënë pas një trashëgimi prej 11 titujsh kampion në këtë periudhë. Pesë tituj erdhën në epokën e Magic Johnson, tre me Shaquille O’Neal dhe Kobe Bryant, dy të tjerë me Kobe-n dhe Pau Gasol, ndërsa i fundit me LeBron James si ‘ylli’ kryesor.
Komisioneri i NBA-së, Adam Silver, përshëndeti ndryshimin duke nënvizuar besimin te pronari i ri: “Mark Walter ka një histori të gjatë në ligat tona, si ortak i Lakers dhe pronar kryesor i Los Angeles Sparks për më shumë se një dekadë. Jam i bindur se ai do të jetë një drejtues i përkushtuar dhe një pasuri e madhe për ligën.”
Silver falënderoi edhe familjen Buss: “I shpreh mirënjohjen Jeanie Buss dhe familjes Buss për 46 vite udhëheqjeje transformuese.” Megjithatë, Jeanie Buss do të vazhdojë si guvernatore e klubit për të paktën pesë vitet e ardhshme, duke ruajtur lidhjen historike të familjes me një nga organizatat më të mëdha sportive në SHBA.
sfidanti.al

