Barcelona synon të hapë dyert e ‘Spotify Camp Nou’ javën e ardhshme

Barcelona po përgatitet të rikthehet në shtëpinë e saj historike dhe mund të bëjë hapin e parë konkret javën e ardhshme. Sipas “Barça Reservat” të Catalunya Ràdio, klubi ‘blaugrana’ po planifikon një provë pilot më 7 ose 8 nëntor, ku do të shfrytëzohet rasti për të zhvilluar një seancë stërvitore me dyer të hapura të ekipit të parë të drejtuar nga Hansi Flick.

Kjo nismë vjen para se klubi të marrë licencën 1b, e cila do të lejojë praninë e më shumë se 45 mijë tifozëve në tribuna. Aktualisht, Barcelona ka vetëm licencën 1a të përdorimit të parë, çka do të thotë se për provën pilot në stadium do të lejohen deri në 26 mijë spektatorë, të pozicionuar në tribunën kryesore dhe në sektorin e “Gol Sur”. Sipas burimeve nga qyteti, pikërisht Bashkia e Barcelonës dhe shërbimi zjarrfikës kanë kërkuar këtë test praktik, për të vlerësuar nga afër masat e sigurisë në hyrje dhe dalje të stadiumit. Data e stërvitjes do të përcaktohet në varësi të kalendarit të ekipit, pasi ‘blaugranat’ do të luajnë në mesjavë në Belgjikë kundër Club Brugge dhe më pas, në fundjavë, do të udhëtojnë drejt Vigos për sfidën me Celta-n. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Barcelona do të jetë shumë pranë rikthimit të plotë në “Spotify Camp Nou”. Objektivi është të hapet stadiumi brenda nëntorit, me ndeshjen e 22 nëntorit kundër Athletic Bilbaos, që shihet si momenti i madh i rikthimit në shtëpinë legjendare të katalanasve.

sfidanti.al