SHBA udhëheq Botërorin e atletikës me 2 medalje ari dhe 5 medalje gjithsej!

Amerikanët po paraqiten shumë mirë në Kampionatin Botëror të atletikës. Të tre vendet e para në garën më të shpejtë, atë të 100 metrave, u zunë nga sportistë nga SHBA.  Kampion i botës u shpall Fred Kerli (Kerley) me kohën shumë të mirë 9”86, edhe pse larg rekordeve të vendosura nga Usain Bolti.  Pas tij, Brejsi dhe Bromel, që të dy me 9”88. Kërli u nis keq dhe u detyrua të ndiqte patriotët e tij, sidomos Brejsin. Gjysma e konkurrentëve në garë, plot 4, ishin amerikanë, diçka që rrallë ka ndodhur vitet e fundit. Përveç 100 metrave, dita e dytë e kampionatit pati shumë gara të tjera.

Në 10 000 metra për femra, kampione e botës u shpall Gidei e Etiopisë me kohën më të mirë të vitit, 30’09”94, pas një konkurrimi shumë të fortë me kenianet Obiri dhe Kipkemboi. Në kërcim së gjati për meshkuj, i pari doli kinezi Uan Xhianian me rezultatin 8.36 metra, duke lënë pas grekun Tentoglu dhe zviceranin Ehamer. Në hedhje çekiçi për meshkuj medaljen e artë e mori polaku Pavel Fajdek me 81.98 metra, duke lënë pas polakun tjetër Novicki dhe norvegjezin Henriksen. Në hedhjen e gjykes për femra fitoi amerikania Çejs Ilej (Ealey) me rezultatin 20.43 metra, ndërsa medaljen e argjendit e mori kinezja Kon Lixhiao, dhe pas tyre doli holandezja Shilder. SHBA ka 2 medalje ari dhe 5 gjithsej, Polonia, Kina, Japonia, Rep. Domenikane, Etiopia dhe Peruja kanë nga një ari.

Sfidanti.al