Nuk e pati fatin që të luante në miqësoren e parë. Çelsi fitoi 2-1 në Las Vegas ndaj Klub Amerikës, por Armando Broja mbeti jashtë për shkak të lëndimit të lehtë që pësoi që në stërvitjen e parë me ekipin. Sulmuesi i kombëtares shqiptare nuk ka dëmtim serioz, siç e pohoi trajneri Tomas Tuhel, por gjithsesi ende nuk pritet që ai ta mbajë fanelën me ngjyrë blu. Mediat angleze shkruajnë se Çelsi nuk do ta mbajë 20-vjeçarin në një ekip me yje si Verner, Haverc apo Stërling, por gjithsesi nuk ka ndërmend ta humbasë për fare. Lajmet janë që Broja do të jepet huazim tek Uest Hemi për sezonin e ardhshëm, ndonëse vetë sulmuesi i ka kërkuar klubit që ta lejojë që të transferohet përfundimisht në një ekip tjetër.
Gjithsesi, opinioni i trajnerit Tuhel është që shqiptari nuk duhet humbur për fare. Tekniku gjerman e vlerëson lart futbollistin kuqezi, dhe e cilëson si një alernativë të rëndësishme për të ardhmen e afërt. Për momentin, ai nuk mundet t’i garantojë minutazh të rëndësishëm në skuadrën e Çelsit, por gjerat mund të ndryshojnë pas një huazimi 12-mujor tek Uest Hemi. Broja shënoi 9 gola sezonin e kaluar për Sauthemptonin në Angli, nga të cilët 6 në Premier Ligë, duke vendosur edhe rekord për moshën e tij. Shërbimet e sulmuesit kuqezi i kërkojnë edhe Njukasëlli, Evertoni dhe Napoli, por duket se ai do të huazohet sërish, për të tretin vit radhazi, këtë herë tek Uest Hemi sërish në Premier Ligë.
Sfidanti.al