Audun Groenvold, një nga figurat më të njohura të sportit dimëror në Norvegji dhe medalist olimpik në disiplinën “ski cross”, ka ndërruar jetë në moshën 49-vjeçare pasi u godit nga një rrufe. Tragjedia ndodhi teksa ai po udhëtonte drejt kabinës familjare. Pas incidentit të rëndë, Groenvold u dërgua menjëherë në spital dhe iu nënshtrua trajtimit mjekësor, por, për fat të keq, mjekët nuk arritën t’i shpëtonin jetën. Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga Federata Norvegjeze e Skive, e cila në deklaratën e saj theksoi: “Me shumë trishtim kemi marrë lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Audun Groenvold. Ish-skiatori ynë kombëtar u godit kohët e fundit nga rrufeja gjatë një udhëtimi drejt kabinës familjare.”
Presidentja e Federatës, Tove Moe Dyrhaug, u shpreh: “Sporti norvegjez ka humbur një figurë të shquar që ka dhënë shumë për vendin tonë.” Groenvold ishte një nga emrat më të njohur të skive në Norvegji. Ai fitoi medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike Dimërore “Vancouver 2010” në disiplinën e skive “ski cross”. Gjithashtu, ai pati një karrierë të suksesshme edhe në skitë alpine, ku doli në podium në garën e zbritjes në Sierra Nevada në vitin 1999. Në vitin 2005 fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të ‘ski cross’-it dhe më pas fitoi Kupën e Përgjithshme në vitin 2007. Përveç sportit, Groenvold ishte shumë i dashur edhe si komentator sportiv në televizionin norvegjez, ku solli pasionin dhe përvojën e tij në ekran për publikun. Vdekja e tij ka tronditur jo vetëm komunitetin sportiv norvegjez, por edhe më gjerë, ku ai njihej si një sportist i talentuar dhe njeri i përkushtuar.
sfidanti.al