Milani zgjedh Marc Pubill

Milani i drejtuar nga Igli Tare vazhdon të lëvizë fuqishëm në merkato. Pas afrimeve të Ricci-t dhe Modric-it, kuqezinjtë kanë siguruar edhe portierin Pietro Terracciano, i cili ka firmosur për dy vite dhe do të jetë zëvendësi i Maignan, duke marrë vendin e Sportiello-s, që pritet të rikthehet tek Atalanta. Zyrtarizimi i 35-vjeçarit është vetëm çështje kohe.

Por prioriteti i madh për Taren mbetet forcimi i krahëve të mbrojtjes, ku emri më i nxehtë është Marc Pubill, mbrojtës 22-vjeçar i Almerias. Kuqezinjtë kanë intensifikuar kontaktet me agjentin e tij, Fali Ramadani, për të mbyllur marrëveshjen sa më parë dhe për të shmangur konkurrencën, veçanërisht nga Wolverhampton-i, ndërsa Barcelona duket më e largët në këtë garë. Milani shpreson ta mbyllë transferimin për pak më shumë se 10 milionë euro, ndërkohë që Almeria kërkon rreth 15 milionë. Gjithsesi, kjo është një shumë dukshëm më e ulët krahasuar me 25 milionët që Strasburgu kërkon për Guéla Doué, një tjetër objektiv i mëparshëm i Milanit. Tare po punon gjithashtu për të siguruar alternativa në të dy krahët e mbrojtjes, me të majtën që mbetet ende për t’u përforcuar. Ndërkohë, vazhdon të mbahet nën vëzhgim situata e Ardon Jasharit, që është rikthyer në stërvitje me Club Brugge, por nuk e ka humbur shpresën për t’u bashkuar me kuqezinjtë. Në repartin ofensiv, Milani ka bërë një sondazh për Jean-Philippe Mateta, sulmues 28-vjeçar i Crystal Palace, i cili ka realizuar 17 gola sezonin e fundit (14 në Premier League). Megjithatë, vlerësimi prej 30 milionë eurosh nga klubi anglez ka bërë që Milani të frenojë për momentin.

sfidanti.al