Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë një deklaratë të pazakontë, por që mund të ketë pasoja të gjera kulturore dhe simbolike në sportin më të ndjekur globalisht: ai ka shprehur synimin për të firmosur një urdhër ekzekutiv që do të ndalonte përdorimin e termit “soccer” dhe do ta zëvendësonte me “football”, duke ndjekur terminologjinë që përdoret në pjesën më të madhe të botës.
Deklarata e tij erdhi gjatë një interviste për platformën DAZN, pas finales së Kupës së Botës për Klube mes PSG-së dhe Chelsea-t, që u zhvillua në stadiumin MetLife të Nju Xhersit. Trump ishte një nga të ftuarit e nderit të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, me të cilin ka krijuar një lidhje gjithnjë e më të ngushtë në prag të Kupës së Botës për Klube 2026, që do të zhvillohet në SHBA.
“Mendoj se mund ta bëjmë, unë mund ta bëj,” – deklaroi Trump për ndryshimin e emrit të sportit më të njohur ndërkombëtarisht.
Një ndryshim emri, një ndryshim kulture?
Në SHBA, futbolli (soccer) nuk është mes pesë sporteve më të ndjekura. Ai qëndron pas futbollit amerikan (NFL), basketbollit (NBA), bejzbollit (MLB), boksit, dhe hokeit mbi akull (NHL), si dhe futbollit amerikan universitar. Megjithatë, falë investimeve të mëdha, përfshirë transferimin e Lionel Messit tek Inter Miami, MLS po njeh një rritje të dukshme.
Trump ka shprehur dëshirën për ta parë futbollin të rritet dhe të konsolidohet në SHBA, për t’u bërë konkurrent serioz me sportet e tjera, por a do të ndihmojë ndryshimi i emrit?
Sipas Ivan Martinho, profesor i marketingut sportiv në ESPM, ky mund të jetë një ndryshim simbolik me ndikim kulturor:
“Do të ishte një lëvizje historike që reflekton një të vërtetë globale: SHBA ka rezistuar për vite ndaj një sporti të krijuar nga anglezët. Latinët, që përbëjnë gati 20% të popullsisë amerikane, do ta mirëpresin. Brezat e rinj do të mësojnë ta quajnë këtë sport ‘futboll’, sepse luhet me këmbë.”
Alexandre Vasconcellos, menaxher rajonal i Flashscore, sugjeron se kjo mund të ketë prapavijë kulturore apo edhe gjeopolitike:
“Mund të ndodhë një antagonizëm i qëllimshëm mes futbollit dhe futbollit amerikan. Mund të jetë një formë e ndarjes kulturore, por gjithashtu edhe një afrim me botën arabe dhe investimet e saj në sport.”
Ndërsa Renê Salviano, drejtor ekzekutiv i Heatmap, e sheh si një veprim pa ndikim thelbësor sportiv, por që i jep vëmendje turneut:
“Është interesant, edhe pse nuk sjell ndonjë ndryshim të madh. Por fakti që presidenti flet për këtë tregon se ai e kupton fuqinë e futbollit.”
Skepticizmi i ekspertëve, emri nuk mjafton
Nga ana tjetër, ekspertët e marketingut sportiv janë më të përmbajtur. Fábio Wolff, drejtor i Wolff Sports, thekson:
“Ndryshimi i emrit mund të shkaktojë më shumë konfuzion sesa përfitim. Futbolli në SHBA ka nevojë për strategji, investime dhe kohë, jo vetëm për një ndryshim terminologjie.”
Në përfundim, ndërsa nisma e Trump mund të jetë më shumë simbolike dhe provokuese sesa praktike, ajo konfirmon një fakt të pamohueshëm: futbolli global po troket gjithnjë e më fort në dyert e Amerikës, dhe liderët, edhe ata politikë, nuk duan të mbeten jashtë loje.
sfidanti.al