Teuta “fundos” Flamurtarin, Partizani barazon me Egnatian

Është mbyllur java e 8-të e “Abissnet Superiore” me Partizanin që ka barazuar 0-0 me Egnatian, ndërsa Teuta ka arritur një fitore 3-2 përballë Flamurtarit.

Një sfidë emocionuese ajo e luajtur në “Niko Dovana” mes Teutës dhe Flamurtarit. Gomes Ferreira e më pas Arifi, me golat e shënuar, ndezët atmosferën për durrsakët. Trashi ngjalli shpresat e vlonjatëve, por durrsakët u kundërpërgjigjen menjëherë me Boçin për një 3-1 që mbylli pjesën e parë.

Në pjesën e dytë Teuta mbeti me një lojtar më pak, Zogos u ndëshkua me kartonin e dyë të verdhë. Flamurtari arriti të gjejë dhe golin e dytë me autor Bolzan, por vetëm kaq. Teuta fiton 3-2 dhe ngjitet në kuotën e 14 pikëve, ndërsa Flamurtari në vend të fundit me 2 pikë.

Një barazim 0-0 në sfidën e luajtur në “Arena e Demave”, që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH1. Në një ndeshje të luftuar, të kuqtë humbën shërbimin e Bintsuka dhe Sembene për shkak dëmtimi, ndërsa në fund të takimit Gudjufi u ndëshkua me karton të kuq(dy kartona të verdhë).

Nga ana tjetër, Egnatia nuk mundi të bëjë asgjë në finalizim përballë një kundërshtari të kujdesshëm. Rrogozhinasit mbajnë vendin e dytë me 15 pikë, ndërsa Partizani në vend të 7 me 8 pikë.


sfidanti.al