Nëse aksidentin që pësoi Mikael Shumaher, do ta kishte pasur në kurriz një njeri i zakonshëm, padyshim që ai sot nuk do të ishte tek të gjallët. Në një botë që mëton të jetë e moralshme, por që nuk shkëputet dot nga morali i vjetër, ish-piloti gjerman duhet të paguajë “qimet e kokës” që të ketë mundësi të marrë frymë. Mediat njoftojnë se fatura javore e shërbimeve mjekësore për të arrin në gati 140 mijë euro, ndërsa në 3 vjet familja e Shumit ka shpenzuar gati 15 milionë euro. Pajisjet moderne natyrshëm që nuk e kanë pasur një kosto të tillë, medikamentet po ashtu, dhe puna e mjekëve është pak a shumë si puna e të gjithë bluzave të bardha në botë.
Duket se familja e Shumaherit papritur ndodhet në vështirësi financiare. Edhe pse shtatë herë kampioni i botës ka fituar dhjetëra e dhjetëra milionë euro në karrierën e Formula 1 dhe nga sponsorët, duket se ai ka bërë shpenzime të pamenduara në jetë, ose investime që mund të kenë dalë të gabuara. Kështu, njoftohet se familja e tij ka nxjerrë në shitje një Mercedes E55 AMG, që ka qenë pjesë e “garazhit” të gjermanit. Çmimi i vënë për makinën luksoze është 630 mijë euro.
B. Kuka