I pari që foli ishte shefi i Ferrarit, Matia Binoto, dhe u duk sikur fjalët e tij vinin nga një botë tjetër. Skuadra italiane e mbylli për faqe të zezë Çmimin e Madh të Formula 1 në vendin e saj, në pistën e Monzës, madje duke u sakatuar me pilotët e përplasur andej-këtej, por Binoto theksoi se “ky vit do të na bëjë më të fortë”. Një sfidë ndaj fatit të keq, por edhe vështirësive të sendërtuara në një konkurrencë të pamëshirshme me rivalët.
Gjithsesi, edhe Sharl Lëklerk, i mbajti “ison” shefit të tij. Piloti nga Montekarlo, që pati një përplasje të frikshme e që shpëtoi mirë, theksoi se pritet që Ferrari të ketë rezultate më të mira. “E vërtetë që makina ishte e vështirë për t’u pilotuar, – tha ai, – por, ishte edhe gabimi im. Ndoshta kërkova më shumë sesa duhet ndaj edhe ndodhi përplasja. Kemi pasur dy gara tepër të vështira, por duket se do të jemi më mirë në Muxhelo”. “La Gazeta delo Sport” shkruan se është nxitës fakti se Ferrari i Lëklerkut ishte në vend të katërt në momentin kur u përplas, dhe Hamiltoni do të shlyente dënimin, pra edhe mund ta fitonte garën.
Sfidanti.al